Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se më 20 qershor do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore për vitin 2026, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë Kosovën.
Sipas MASh-it, për administrimin e testit janë angazhuar 1,360 administrues, si dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve.
Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 13:30. Maturantët obligohen të paraqiten në qendrat e testimit më së voni në orën 09:00, në mënyrë që të përfundojnë me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.
Siç bëhet e ditur, testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përmbajë gjithsej 100 kërkesa, përkatësisht pyetje dhe detyra. Nga 25 kërkesa do të jenë për secilën prej katër lëndëve të përfshira në test: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë nxënësit.
