Një nënë që përkëdhelte për herë të fundit djalin e saj 11-vjeçar të vrarë nga serbët, dhe një abetare mes rrënojave të shtëpisë së Adem Jasharit. Janë këto disa nga pamjet që, edhe pas 27 vjetësh, vazhdojnë ta tronditin profesorin Ismail Ismaili, dëshmitar i krimeve të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Ai nuk mbante armë, por kishte një mision tjetër: përmes fjalës dhe përkthimit t’ua përcillte gazetarëve francezë dëshmitë e njerëzve që po përjetonin tmerrin e luftës. Në një kohë kur dhuna dhe frika mbizotëronin në Kosovë, Ismaili u bë ura e komunikimit mes viktimave shqiptare dhe gazetarëve të huaj, duke ndihmuar që rrëfimet e tyre të arrinin përtej kufijve.
Me emocione të forta, ai rikthen kujtimet e atyre ditëve, kur përkthimi nuk ishte thjesht një profesion, por edhe përgjegjësi për të dëshmuar atë që po ndodhte. Nga Prekazi i shkatërruar deri te varrimi i një fëmije nën kërcënimin e të shtënave, Ismaili rrëfen histori që, siç dëshmon ai, nuk mund të harrohen.
Gjithçka kishte nisur në vitin 1995, kur një koleg e kishte rekomanduar si përkthyes për gazetarët francezë. Megjithëse e njihte gjuhën frënge, Ismaili kishte një pasiguri: prej vitit 1979 nuk kishte komunikuar drejtpërdrejt me francezë dhe druhej nëse do të arrinte të shprehej siç duhej.
Ai tregon se takimet e para me gazetarët francezë i kishin mbajtur tek Kodra e Trimave, në shtëpinë ku asokohe mbaheshin mbledhjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
E për herën e parë ishin të interesuar të shkonin në xhami për të parë se sa jemi popull fetar. Aty ishin përballur me mungesën e të rinjve në xhami, e një i moshuar u kishte thënë se “ata kanë punë më të mençura” sesa të luten për veten.
Pas xhamisë ata shkuan drejt tregut, ku u përballën me një situatë që i tronditi gazetarët e huaj. Ata panë drejtpërdrejt trajtimin që u bëhej shqiptarëve, pikërisht kur dy policë serbë ushtruan dhunë ndaj një të riu shqiptar që kishte dalë të shiste produktet e tij, ngjarje që ishte filmuar tashmë e tëra nga syri i kamerës.
Pas rënies heroike të familjes Jashari, ata morën rrugën për Prekaz për të parë nga afër se si vendi kishte marrë pamjen nga lufta. Në shtëpinë e Jasharëve, gazetarët francezë kishin gjetur një abetare.
“Në Prekaz, gazetarët francezë gjetën një abetare…”
“Shtëpia e Ademit ishte e shkatërruar… Çka me pa, oborri ishte i mbushur me ‘llasnika’, disa revista fetare të Sarajevës, i thashë gazetarit këto nuk janë të tonat. Fatmirësisht, duke i larguar ato e gjeti një abetare edhe tha po e fotografoj këtë. Një lloj forme, abetarja tregonte që një fëmijë aty ka filluar të shkruajë, t’i mësojë shkronjat dhe kësisoj tregonte jetën që ka ekzistuar dikur”, shtoi përkthyesi.
Krimin që e panë në familjen Jashari, gazetarët e kishin përshkruar si masakër.




