Christopher Hill, ish-diplomati amerikan që shërbeu në Kosovë në vitet e luftës, 1998-1999, po vazhdon dëshminë e tij në Hagë në kuadër të dëshmitarëve të mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka rrëfyer një takim në Likoc, ku ishte gjendja shumë e rëndë por ideja ishte që të takonte ‘strukturat e UÇK-se me të cilët do të duhej të diskutonte rreth negociatave për projekto planin e Grupit të Kontaktit.
“Unë isha i interesuar që të kisha persona pjesëmarrës në negociata. Na kishin gjuajtur me armë. Ne ndërmorrëm një rrezik për të takuar një person që na thanë se do flasë në emrin e tyre. Ndonjëherë është frustruese kur mendon se pala tjetër s’po bën të pamundurën. Kishte frustrim për shkak se kishte monpolin LDK. Ishte një qeveri që personat në LDK mendonin se nuk po përfaqësonin tamam pikëpamjet e tyre. Këta persona donin ta zgjeronin qeverinë, për mua ishte e rëndësishme të gjenim persona që mund të negocionim për project dokumentin. Problematika e vërtetë ishte të kishim një ekip negociues që do të përfaqësonin të gjitha pikat në project dokument” – tha Hill në dëshminë e tij.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, sipas Hill “Nuk e besoja që kishte (Shtab të Përgjithshëm, v.k)” – thotë Hill në dëshminë e tij dhe shton se më shumë ‘kishte përpjekje nga UÇK-ja që të krijonin përshtypjen se po bëheshin një ushtri me struktura normale’.
“Më shumë ishin përpjekje për të treguar që ekzistonte një ushtri në mënyrën tradicionale, me hierarkinë vertikale. Ishte një orvatje për të na treguar që kemi struktura politike ushtarake dhe që duhet t’i merrnim seriozisht.
Sidoqoftë, nuk morëm asgjë prej tyre. Ishte shkurajuese por më duhet të shtoj dicka që unë pikëpamjet e mia ua bëra të qarta disa persona lidhur me këtë aspekt. Ju thash se kam frikë se po kërkojmë dicka që nuk ekziston” – thotë Hill.
