Gurthemeli për dhjetë kilometrat e fundit të rrugës Shkup-Bllacë u vendos sot në praninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drejtuesve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të BE-së e BERZH-it. Punimet për këtë segment pritet të përmbyllen brenda katër vjetësh.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e përshkroi nisjen e punimeve si një moment historik, duke nënvizuar se projekti po fillon të realizohet pas më shumë se 20 vjetësh.
Mickoski deklaroi se ky projekt po shndërrohet në realitet nga Qeveria e udhëhequr prej OBRM-PDUKM-së, VLEN-it dhe ZNAM-it. Sipas tij, ndërtimi i rrugës ishte një nga zotimet e dhëna në fillim të mandatit dhe një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë. Ai shprehu pritjen që punimet në terren të avancojnë ndjeshëm dhe projekti të përfundojë në kohë rekord. Kryeministri theksoi gjithashtu se punimet do të kryhen nga një kompani maqedonase, çka, sipas tij, do t’i sjellë vlerë të shtuar ekonomisë së vendit dhe do të hapë më shumë vende pune për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aksi i ri do t’i afrojë edhe më shumë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe qytetarët e të dyja vendeve. Ai vlerësoi se rëndësia e projektit shkon përtej përmirësimit të infrastrukturës.
Sipas Kurtit, autostrada Shkup-Bllacë, me pesë tunele, tetë ura dhe tetë galeri, do ta fuqizojë lidhjen infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai tha se rruga do ta bëjë më të lehtë lëvizjen dhe do të krijojë mundësi të reja për qytetarët e të dyja shteteve. Kurti shtoi se çdo kilometër i ri përbën investim në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve, ndërsa bizneseve do t’u mundësojë transport më të lehtë të mallrave dhe krijimin e partneriteteve të reja. Ai theksoi se aksi është pjesë e rrjetit evropian “Ten T”, i cili afron Shkupin me Prishtinën.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore në Maqedoninë e Veriut, Koce Trajanovski, bëri të ditur se terreni i vështirë ka kushtëzuar përfshirjen e pesë tuneleve dhe tetë urave në vetëm 10.5 kilometra rrugë.
