Dhjetë vjet më parë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016.
Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.
Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.
Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës.
Në debatet e tyre, ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
