Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore në Pejë ka vendosur që ta rihapë procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e ndodhur vite më parë në Gllogjan .
Kjo pasi që është gjetur një video material, që s’është propozuar fare nga Prokuroria për administrim në çështjen gjyqësore.
Në video, siç ka treguar kreu i Trupit gjykues, shihet njëri nga të akuzuarit, duke shtënë me armë zjarri në vendin e quajtur “Bjeshkë”. Gjyqtari ka sqaruar se video s’ka të bëjë me ngjarjen e vrasjes, por thotë se Prokuroria pretendon që arma me të cilën shihet duke gjuajtur njëri nga të dyshuarit është arma e përdorur për rastin e vrasjes.
“Trupi gjykues gjatë analizimit të shkresave të lëndës, gjen se në fazën e hetimeve, nga ana e Policisë, është kontrolluar vendi në bjeshkë, ku i pandehuri Kreshnik shihet në video duke gjuajtur me armë. Gjatë atij kontrolli, rezulton se janë gjetur 13 gëzhoja dhe një fishek, për të cilat është urdhëruar ekspertiza. Raporti i datës 27 07 2022, por ky raport s’është propozuar nga ana e Prokurorisë për Administrim, dhe s’është administruar fare, prandaj gjykata ka vlerësuar është me rëndësi ky raport të administrohet gjatë shqyrtimit të rihapur”, ka thënë gjyqtari, raporton Express.
“Për seancën e radhës që do të rihapet, palët do të njoftohen me shkrim. Palët do të pajisen me raportin e ekspertizës”, ka thënë ai.
