“S’di si do t’ia dalim, është shumë shtrenjtë!” Ky është shqetësimi që përsërisin qytetarët e Kosovës, ndërsa përballen çdo muaj me faturat e energjisë elektrike. Pyetja që secili i bën vetes është e njëjtë, “A do të mund të mbajmë familjen pa u rënduar nga shpenzimet?
Ky shqetësim rritet edhe më shumë tani, pasi Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) rritje të çmimit deri në mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Ndërsa, sipas njohëseve të kësaj fushe, arsyeja kryesore për rritjen e paralajmëruar lidhet me një sërë faktorësh të akumuluar, përfshirë zvarritjen e procesit të hapjes së tregut të energjisë, mungesën e investimeve serioze në prodhimin e brendshëm dhe efiçiencë, si dhe vonesat në integrimin e tregut të Kosovës me rajonin.
Ndërsa vendimi pritet të merret me 1 prill, qytetarët bëjnë thirrje shtetit që të ndërhyjë në këtë drejtim.
Qytetari, Sherafedin Kulinxha thotë se çdo tre muaj çmimet rriten dhe se pensioni i tij nuk mjafton për të përballuar shpenzimet.
E për qytetarin, Bashkim Muçiqi ky parlajmrim është skandal.
Blerim Krasniqi thekson se vendimi për rritjen e çmimeve nuk është i qëndrueshëm për familjet, derisa thotë se këtu duhet të nderhyje qeveria.
Muharrem Kasumi thekson nevojën për një politikë energjetike të mençur dhe orientim strategjik drejt Perëndimit, duke përfshirë qytetarët, shtetin dhe opozitën në vendimmarrje.
E shtrenjetimin e tarifave nuk e përjashton as hulumtuesi i lartë në Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Dardan Abazi.
