BBC ka bërë një analizë rreth deklaratave të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se ka ndaluar gjashtë luftëra që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e dytë dhe kontributin që ai mund ta ketë pasur në përfundimin e tyre. Në listën e tij, tek luftërat që ka përfunduar, është edhe “konflikti mes Kosovës dhe Serbisë”.
Më 27 qershor, Trump tha se kishte parandaluar një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se i kishte paralajmëruar se nëse do të shkonin drejt kësaj rruge, s’do të mund të bënin tregti me Shtetet e Bashkaura.
Deklaratën se përfundoi gjashtë luftëra, Trump e përsëriti edhe gjatë takimit me liderët evropianë, teksa po diskutohej për arritjen e një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, pasi ata kërkuan armëpushim.
“Kam përfunduar gjashtë luftëra… të gjitha këto marrëveshje i kam bërë pa përmendur as fjalën ‘armëpushim’.”
Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, BBC ka shkruar se dy vendet kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje – një trashëgimi e luftërave në Ballkan në vitet 1990 – me tensione që janë rritur vitet e fundit.
“Serbia dhe Kosova nuk kanë qenë duke luftuar apo qëlluar njëra-tjetrën, kështu që nuk është një luftë për t’u ndalur,” ka deklaruar Margaret MacMillan, profesoreshë e historisë që ka ligjëruar në Universitetin e Oxford’it.