Subjekti opozitar në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që pa vonesë të përcaktojnë se kush qëndron pas përgatitjes dhe ngjitjes së posterëve në Krushevc, qytet në Serbinë qendrore, ku qytetarët thirren të mos blejnë tek shqiptarët.
Në njoftimin e PSG-së vlerësohet se është veçanërisht e rrezikshme që posteri është ngjitur përpara një furre buke pronari i së cilës është shqiptar, duke theksuar se në këtë mënyrë “njerëz konkretë ekspozohen ndaj presionit, persekutimit dhe dhunës së mundshme”.
Radio Evropa e Lirë raporton se iu drejtua për informacione Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe prokurorisë në Krushevc, por ato nuk ishin në dispozicion për të dhënë përgjigje të menjëhershme.
Në poster, sipas njoftimit të PSG-së, u thuhet qytetarëve të kujtojnë Gazimestanin dhe të mos blejnë tek shqiptarët, ndërsa shqiptarët cilësohen me emërtimin përçmues “Šiptari”.
“Ky mesazh nuk është qëndrim politik apo protestë, por shënjestrim i hapur i njerëzve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare dhe përpjekje për ta zhvendosur urrejtjen nga rrjetet sociale në rrugë”, vlerësoi PSG-ja.
