Në konferencën për media ku u diskutua për Ligjin për Shtetësinë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u pyet edhe lidhur me pagesën e orëve shtesë të policëve dhe kushtet në kampin e Njësisë Speciale “Enver Zymberi”.
Duke folur për kompensimin e orëve shtesë, Sveçla tha se Ministria është duke punuar për krijimin e një sistemi më të mirë, me qëllim që të mos humbasë puna dhe angazhimi i asnjë zyrtari policor.
“Oret shtesë do të paguhen. Ne po punojmë të dizajnojmë sistemin sa më të mirë në mënyrë që askujt të mos i humbet mundi e angazhimi dhe që buxheti i Policisë të orientohet drejt investimeve kapitale por edhe shpenzuese”, deklaroi ai.
Sveçla theksoi se gjatë mandatit të tij si ministër nuk ka mbetur asnjë orë shtesë pa u kompensuar.
“Asnjë orë e Policisë nuk ka mbetur pa paguar prej kur jam ministër. Më herët shtesat e policëve në fundvit u janë fshirë”, tha ai.
I pyetur për kushtet në kampin e Njësisë Speciale “Enver Zymberi”, Sveçla tha se Policia e Kosovës tashmë është deklaruar për këtë çështje, ndërsa mbrojti investimet e bëra në këtë kamp.
