Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen, nga Luksemburgu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit, respektimit të lirive themelore dhe shmangies së përshkallëzimit të situatës.
Në deklaratën e tij, Haagen nënvizon se e drejta për tubime paqësore dhe liria e qytetarëve për të shprehur qëndrimet e tyre janë shtylla themelore të një shoqërie demokratike. Në të njëjtën kohë, ai thekson se mbrojtja e jetës njerëzore dhe e pronës publike e private përbën një përgjegjësi thelbësore të autoriteteve ligjzbatuese.
“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit që shoqërojnë protestat në Shqipëri”, shprehet Haagen, duke bërë thirrje për përgjegjshmëri dhe respektim të parimeve demokratike nga të gjitha palët.
Përfaqësuesi i OSBE-së thekson se dhuna nuk mund të zëvendësojë dialogun dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
Sipas tij, çdo akt dhune i kryer nga individë pjesëmarrës në protesta, si edhe çdo përdorim i tepruar i forcës nga autoritetet e rendit, duhet të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Haagen u bën thirrje institucioneve dhe aktorëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të dënojnë pa ekuivok dhunën dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.


