Disa ditë pas përfundimit të aksionit të IMT-së në Theth, ku u prishën ndërtimet e paligjshme, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka postuar pasditen e sotme pamje nga zona turistike.
”Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë”, shkruan kreu i qeverisë, teksa ka hasur edhe në polemikat e komentuesve.
Në video shihen punonjësit e Bashkisë së Shkodrës që mbjellin tokën, si edhe turistët që vizitojnë zonën.
Prej disa ditësh, Inspektorati i Mbrojtjes dhe Kontrollit të Territorit kreu një operacion në fshatin turistik në veri të vendit, për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje. Banorët e kundërshtuan me forcë këtë veprim, duke thënë se atyre iu ishte premtuar në vite që të zhvillonin biznese në pronat e tyre, por duke qenë se nuk kanë dokumentet, e kanë pasur të pamundur të aplikojnë për leje.