Pas valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstreme që përfshinë vendin, të premten më 25 korrik 2025 u regjistrua vlera më e lartë ndonjëherë në Kosovë, 42.5°C në Klinë, dhe kjo javë pritet të sjellë mot dukshëm më të freskët. Edhe të shtunën u shënuan rekorde të reja në disa qytete të tjera. Freskimi pritet si pasojë e masave më të ftohta dhe të lagështa që vijnë nga perëndimi i kontinentit.
Nën këto kushte, dita e sotme u karakterizua me diell dhe vranësira, ndërsa në zona të caktuara pati edhe reshje të izoluara shiu. Në mbrëmje, ka rrebeshe shiu dhe shkarkesa rrufesh në jug të vendit, të cilat po lëvizin drejt Rrafshit të Kosovës.
Ndërkohë, cikloni tashmë i pozicionuar në Detin Adriatik do të sjellë reshje të reja në nivel vendi gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjesin e së martës. Reshjet priten të jenë lokalisht në formë rrebeshi, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Dita do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa rrebeshet do të mbesin me karakter lokal.
Të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa kryesisht përreth zonave malore pritet të ketë reshje të izoluara shiu.