Në sesionin e pasdites në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, vazhdoi dhënien e mbrojtjes i akuzuari Murseli, i cili ndër të tjera tha se deklaratën që e kishte dhënë në Polici para se t’i vinte avokati, nuk e pranon pasi sipas tij, është dhënë në presion, dhe se kishte edhe dhunë.
Fillimisht, prokurorja Javorka Perlinçeviq theksoi se sa i përket provave- mesazhin të cilin i akuzuari Murseli më 28 nëntor 2023 në orën 19:41:3 në formë të fajllit me emërtim të mesazhit, e ka dërguar tek Granit Plava, ku thuhet “Shoki, a kryhet sigurt nesër?”- ky është fajlli i parë i dërguar. Kurse, i dyti në formë të porosisë i dërguar më 28 nëntor 2023 dhe shkruan ora 19:42:05, ku shkruhet, “A të kallxoi Kuca se paradite”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurorja tha se këto porosi janë bërë në formë të fajllit, derisa e pyeti të akuzuarin nëse i kujtohet se këto nuk i ka dërguar paradite.
“Kam qenë përdorues i numrit, nuk më kujtohet por numri është i imi”, tha Murseli, duke shtuar se atëkohë e ka përdorë atë numër.
Prokurorja më pas e pyeti të akuzuarin nëse dikush që nuk e njeh mirë profesionin e IT-së, di të formojë një fajll dhe t’ia dërgojë dikujt atë fajll si mesazh. Por, Murseli tha se nuk e di këtë.
Perlinçeviq tha se lidhur me dy mesazhet e Plavës kanë katër ekspertiza, të cilat janë të shenjëzuara në telefonin e të akuzuarit Plava tri thirrje të humbura nga numri i Murselit, nga ai numër ku edhe janë dërguar mesazhet më 29 nëntor në ora 9:16:35. Tha se thirrja e dytë e humbur është në të njëjtën ditë në ora 9:21:22 në mëngjes.
“Thirrja e tretë e humbur nga numri i juaj në numrin e Granitit në ora 10:35:52. Pasi keni pranu lidhjen me Granitin, është ditën e njëjtë në ora 11:54:00. Më herët ju kam pyetur se pse ka qenë me rëndësi që atë ditë të shiheni me Granitin pas këtyre mesazheve dhe thirrja juaj e pandalshme. A mund të jepni përgjigje që do të kishte arsyetim normal që kjo të mos jetë për kryerje të veprës penale për çka po akuzoheni. Si mund të na bindni?”, tha prokurorja.
E sipas Murselit, atë ditë është takuar me Plavën sepse ky i fundit dhe Kokalla kishin një problem të vogël në Gjakovë. Tha se Plava nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të tij, por që i akuzuari Kokalla kishte folur me të dhe që i kishte thënë të takohen në një vend të tre, por që Kokalla do iu bashkëngjitej më vonë, ngase po e dërgonte veturën për ta rregulluar diçka.
I pyetur nëse kishte avokat gjatë deklarimit në Polici kur është arrestuar, Murseli pohoi se i ishte caktuar një, por që kishte ardhë pas 1 ore apo 2.
I akuzuari Murseli tha se nuk e pranon deklaratën e dhënë në Polici me arsyetimin se është dhënë nën presion.
“Fillimisht ka pas dhunë pastaj presion. Kjo po flasim para se me ardhë avokati dhe unë me sa e di procedura e Kodit Penal nuk lejon marrje të tilla në pyetje në ato forma dhe kjo është arsyeja pse kam ba kërkesë në IPK për këtë çështje që e kemi kopjen e asaj kërkese”, deklaroi Murseli.
