Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka reaguar pas valës së kritikave që shkaktoi deklarata e saj për Kosovën, por pa u tërhequr nga përmbajtja e saj dhe pa u kërkuar falje shqiptarëve të Kosovës.
Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në Informer TV, Paunoviq u kërkoi falje vetëm presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, duke thënë se ata ishin akuzuar padrejtësisht për shkak të deklaratës së saj.
“I kërkoj falje presidentit Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj”, tha ministrja serbe.
Paunoviq këmbënguli se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit, duke pretenduar se nga një intervistë njëorëshe ishin shkëputur vetëm shtatë sekonda.
“Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, u shpreh ajo.
