Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar që të rishikohet dhe të ndryshohet Ligji i ri për Shtetësinë, për të cilin pretendojnë se mundëson marrjen e shtetësisë së Kosovës nga persona me prejardhje serbe që kanë jetuar në Kosovë deri në vitin 1998 dhe pasardhësit e tyre, raporton Ekonomia Online.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se shqetësimet e opozitës nuk qëndrojnë, duke argumentuar se dispozita për të cilën po bëhet fjalë ka qenë pjesë e ligjit të vjetër të miratuar nga vetë këto parti dhe këto dispozita, sipas tyre, tani më janë shndërruar në normë kushtetuese.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha për Ekonomia Online se neni 31 është i dëmshëm për Kosovën dhe se duhet urgjentisht të rishikohet ligji.
“E kam argumentuar arsyen pse po e kundërshtoj këtë ligj dhe pse ky ligj është i dëmshëm për Kosovën edhe para zyrtarëve të ministrisë, që fatkeqësisht nuk kam mundur të marr shpjegime dhe arsye të qëndrueshme pse ky ligj duhet të votohet. Jam përgjëruar, ju kam lutur Albulena Haxhiut që të jetë e kujdesshme kur ta nënshkruajë këtë ligj edhe si kryetare e Kuvendit, po ashtu edhe si ushtruese e detyrës se presidentes. Dhe fatkeqësisht nuk janë marrë parasysh vërejtjet tona. Ajo çka kemi mundur me bërë si opozitë në atë kohë është me votuar kundër këtij ligji dhe me sensibilizuar opinionin që ky ligj është i dëmshëm. Dhe unë vazhdoj prapë të them me të njëjtat argumente dhe të njëjtat arsye se neni 31 i këtij ligji është ligj i cili u mundëson marrjen e nënshtetësisë të gjithë serbëve të cilët kanë jetuar deri në vitin 1998 në Kosovë, por jo vetëm kaq, edhe të gjithë pasardhësve të tyre pavarësisht se ku kanë lindur edhe ku jetojnë ata. Është munduar nga qeveria, zyrtarë qeveritarë që të na argumentohet e të na arsyetohet se ky ligj po bëhet gjëja për të lehtësuar marrjen e shtetësisë nga mërgimtarët tanë, por ky argument nuk qëndron sepse mërgimtarët tanë s’kanë pasur asnjëherë vështirësi të theksuara në marrjen e shtetësisë. Ky ligj është bërë për t’i mundësuar pasardhësve të gjithë atyre serbëve të cilët kanë qenë deri në vitin 1998 në Kosovë, e që ne e dimë shumë mirë se cilët serbë dhe me çfarë qëllimesh kanë qenë ata serbë në Kosovë”, tha ajo.
Musliu tha se moskonstituimi i Kuvendit po pamundëson edhe rishikimin e këtij ligji, duke kërkuar që personat që kanë marrë shtetësinë që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri t’i nënshtrohen procedurave të reja në rast të ndryshimit të tij.
“Nëse vetëm një arsye duhet ta ketë Kuvendi i Republikës së Kosovës që të konstituohet sa më parë ose sa më shpejt, arsyeja kryesore duhet të jetë ky ligj. Prandaj çdo ditë e humbur në moskonstituimin e Kuvendit, çdo ditë shtohet dëmi edhe rreziku për Kosovën. Dëmi është shkaktuar tashmë, ne kemi informacione besoj që i keni marrë edhe ju nga të gjitha zyrat civile të cilët raportojnë çdo ditë që serbët shumë në numër të madh janë duke u pajisur me shtetësi të Kosovës. Por e thashë edhe një herë, nëse vetëm një arsye ekziston pse duhet urgjentisht të konstituohet Kuvendi, është ligji për shtetësinë e Kosovës pse ne duhet me urgjencë ta vendosim në rishqyrtim këtë ligj, ta ri-amendamentojmë e ta bëjmë një ligj të dinjitetshëm që garanton mbi të gjitha sigurinë në vendin tonë. Ky ligj e ka dëmtuar rëndë Kosovën, shtetësinë e Kosovës dhe e ka dëmtuar rëndë edhe sigurinë kombëtare”, tha ajo.
Ajo propozoi që shtetësitë e marra pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të rishqyrtohen në rast të ndryshimit të tij.
“E vetmja mundësi që me riparuar dëmin që është shkaktuar është që me ligj të rregullohet që të gjithë personat të cilët kanë marrë nënshtetësinë nga prilli i vitit 2026 e deri në ditën kur ri-amendamentohet ose hyn në fuqi ligji i ri me ndryshime të reja, duhet të shpallen të pavlefshme ose duhet të riprocedohen me ligjin e ri. Përndryshe nëse vazhdojnë që këta që kanë marrë shtetësinë të mbesin edhe më tutje, mendoj që dëmi është i paripagueshëm dhe do t’i kushtojë Kosovës në ditët e ardhshme”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha për Ekonomia Online se ligji është miratuar në procedurë të përshpejtuar dhe kundërshtoi përmbajtjen e nenit 31.
“Këta kanë kontrabanduar këtë ligj në fakt. Në momentin që opozita nuk ka qenë në sallë e kanë kontrabanduar, sepse me procedura të përshpejtuara ju e dini që ju duhet dy të tretat e votave. Dhe pa qenë opozita në sallë ata e kanë kontrabanduar këtë nenin e famshëm me të cilin në fakt ja mundëson secilit qytetar serb që t’i vjen të regjistrohet edhe të bëhet qytetar i Kosovës. Ne po e kundërshtojmë këtë, po e kundërshtojmë me të madhe sepse po ju lejohet të gjithëve që të regjistrohen edhe ata që kanë kryer krime, edhe ata që kanë dënuar, edhe ata që kanë dhunuar gra e fëmijë, ata që kanë kryer masakra, edhe njerëzit që edhe para luftës kanë rënë, kanë burgosur, kanë masakruar popullin shqiptar. Domethënë kjo është kontestuese dhe kjo është një e keqe”, tha ajo.
Kadrijaj tha se kanë kërkuar të dinë nëse ndryshimi ka qenë kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë.

