Shqyrtimi dhe miratimi i qendrave të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka nxitur debat të tensionuar brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përfaqësues të subjekteve politike në KQZ kanë shkëmbyer akuza për ndërhyrje, keqmenaxhim dhe pengim të pjesëmarrjes së mërgatës në procesin zgjedhor.
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, kërkoi që të gjitha qendrat e votimit në diasporë të votohen si pako e tërësishme dhe jo veç e veç, duke theksuar se disa adresa janë refuzuar pa arsye të bazuar. Ai paralajmëroi se mbyllja e qendrave që plotësojnë kriteret teknike rrezikon t’u ndalojë qytetarëve të drejtën për të votuar.
“Konsideroj se nuk është trajtuar drejt nga kryesuesit kjo çështje. Asnjë qendër votimi nuk ndahet në pjesë të ndryshme; kemi të bëjmë me qendra të votimit në ambiente diplomatike. Janë caktuar me qëllim të përfshirjes më të madhe të qytetarëve. Për shembull, në Frankfurt kemi vendosur që të votojnë 2000 persona; ne kemi qenë atje dhe qendra e votimit ka qenë në katin e 7-të, ku kanë votuar rreth 1650 persona. Disa adresa janë refuzuar që të jenë qendra votimi pa arsye të bazuar, ndërkohë që dje u tha se po mbrohet integriteti i procesit, por u pa se po bëhet e pamundur pjesëmarrja e mërgatës. Nuk mund t’ua pamundësoni njerëzve të votojnë duke mbyllur qendrat që i plotësojnë kriteret teknike. Prandaj, kërkoj që propozimi im të merret parasysh si dje: të gjitha qendrat të votohen së bashku, e jo një nga një, as duke i ndarë hapësirat diplomatike nga të tjerat,” tha Krasniqi.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, akuzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme për tentim ndërhyrjeje politike në proces.
“Kemi pasur një situatë të ngjashme në shkurt të zgjedhjeve të kaluara, kur kishim rreth 6 muaj për përgatitje. Ne kemi inspektuar objektet dhe konsullatat që përgatiteshin për procesin e 9 shkurtit. Ligji e përcakton qartë që qytetarët, përmes KQZ-së, kërkojnë nga MPJD që përfaqësitë diplomatike të jenë të gatshme për procesin e votimit. Edhe në zgjedhjet e kaluara MPJD ka bërë ndërhyrje flagrante, duke tentuar të hapë qendra jashtë vendimit të KQZ-së, madje nëpër klube, gjë që ngre dyshime për interesa ekonomike. Kemi dy vendime gjyqësore – përfshirë atë të Gjykatës Supreme – që thonë se KQZ nuk ka cenuar të drejtën e qytetarëve për votimin në mjediset diplomatike. Prandaj, nuk duhet të hapen qendra jashtë këtyre hapësirave sepse është shkelje e ligjit. Fatkeqësisht, Sekretariati po hyn në çështje që nuk i takojnë, duke vepruar sipas interesave të MPJD-së. Kërkoj që qendrat e votimit të hapen në përputhje me ligjin dhe me vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme,” tha Gashi.
Këto akuza u kundërshtuan nga anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i cili kërkoi që të gjithë anëtarët të lexojnë dokumentet origjinale dhe aktet ligjore përkatëse.
