Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se është përgatitur një iniciativë e re ligjore për Dhomat e Specializuara, si dhe është miratuar strategjia për mbrojtjen e çlirimtarëve në fazën e Apelit.
Çitaku bëri të ditur se draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara e ka pranuar dy ditë më parë, ndërsa të njëjtin ua ka prezantuar anëtarëve të grupit strategjik në mbledhjen e mbajtur një ditë më vonë.
Ajo theksoi se kjo iniciativë synon garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe krijimin e mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke mos cenuar pavarësinë e gjyqësorit.
“Po përmbushim një detyrë dhe një zotim që kemi marrë publikisht para qytetarëve të Kosovës. Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës të grupit strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, deklaroi Çitaku.
Ajo nënvizoi se qëllimi i kësaj iniciative nuk ka ndryshuar dhe se, sipas saj, nuk bëhet fjalë për përpjekje për t'iu shmangur drejtësisë apo për ta penguar atë.
“Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë. Përkundrazi, kërkojmë që drejtësia të ushtrohet në përputhje me parimet mbi të cilat ajo vetë është ndërtuar”, u shpreh ajo.

