Partia Demokratike e Kosovë e ka mbajtur tubimin në Malishevë në ditën e pestë të fushatës. Organizatori i këtij tubimi, kryetari i degës së PDK-së në Malishevë, Mevludin Mazreku, tha se qytetarët e kësaj komune gjithmonë kanë ditur të rreshtohen në anën e duhur të historisë.
Ndonëse nuk u pranua që të jetë në listën e kandidatëve për deputet nga PDK-ja, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, po i jep mbështetje kësaj partie. Para malishevasve, Limaj tha se Kosovën e ka marrë malli që të prejë shirita të projekteve të mëdha.
“Herët je përgatitur për këtë detyrë. Dikur e kemi krenuar Kosovën me shumë projekte. Sot, në këtë ofertë që e keni përpara, nuk keni një kandidat më të përgatitur se Bedri Hamza. Stop krizës, stop të keqës, stop çdogjë që sot i dedikohet keq Kosovës. Kosova ka humbur shumë si brenda edhe jashtë. Më shumë se kurrë që ta bëjmë edhe një herë krenare Kosovën. Ne si ish ushtarë të UÇK-se, UÇK-ja na ka larguar tri dobësi. Na ka larguar inferioritetin, prandaj i kemi dalur ballë makinerisë së Serbisë. Na ka larguar kompleksin dhe e treta, na ka larguar egoizmin. UÇK-ja pastaj na ka dhënë dy të rëndësishme, dinjitetin dhe krenarinë, pra, a ka më krenari se të punosh për vendin tënd. Koha është t’i kthehemi projekteve të mëdha, Kosovën e ka marrë malli që të prejë shirita të projekteve të mëdha. Po du të iu coj mesazh miqve në Hagë që Kosovën e ka marrë malli për ju, Hashimin, Kadriun, Rexhën, bacin Jakup”, tha ai.
Qytetarëve të Malishevës iu drejtua edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i cili u shpreh se është një konstatim i përgjithshëm se Kosova është në krizë. Ai po ashtu kritikoi edhe përdorimin e fëmijëve në fushata.
“Është një konstatim i përgjithshëm që Kosova është në krizë, mezi arrijnë që t’i paguajnë faturat, bizneset mëzi mbijetojnë, të rejat e të rinjtë janë në dilemë se a të qëndrojnë apo të largohen nga Kosova. Adresë e kësaj krize është Albin Kurti. Së fundi keni vërejtur diçka që nuk është në traditën e shqiptarëve, përdorimi i fëmijëve për një grushtë votash. Rritja e çmimeve, pagat e ulëta, pensionet e ulëta, e kanë përkeqësuar jetën. Asnjë njohje, asnjë anëtarësim, përkundrazi, ndalje të investitorëve të huaj. Përkeqësim i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ne do ta zhvillojmë ekonominë, s’do t’i shajmë bizneset”, tha ai.
