Banorët e Kçiqit të Madh kanë kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 99 hektarësh, duke paralajmëruar se nuk do të lejojnë “pazare me tokat e të parëve”.
Ata kanë thënë se përvoja e mëparshme me gurthyesin në këtë zonë ka shkaktuar dëme në rrugë, shtëpi dhe burime të ujit.
Çështja ka nxitur përplasje verbale gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, mes kryetarit Faton Peci dhe asamblistit të PDK-së, Valon Brahimi.
Peci e ka kritikuar Brahimin për qëndrimin e tij lidhur me parcelën, duke iu referuar edhe periudhës kur ai ishte drejtor i Inspeksionit.
Peci, gjatë replikës, i është referuar edhe bluzës “Lira ka Emër” që Brahimi mbante në seancë, duke e lidhur atë me akuzën e tij për hipokrizi.
“E dëgjova me shumë vëmendje dhe kujdes z. Brahimi, edhe mes të tjerave se si i numëroj krejt dëmet, se si ky gurthyes në të kaluarën për 20 vite i ka shkaktuar komunitetit dhe fshatit Kçiq. Edhe për ironinë e kohës, ky ka qenë hiq më pak drejtor i Inspeksionit për një mandat, ndërsa nuk ka ngritë kurrë asnjë çështje, nëse ka konstatime që ka pasur dëme në familje, dëme që janë shkaktuar edhe në pikë e rrjedhjes së ujit e një mori dëmesh të tjera. Pyetja e thjeshtë dhe logjike që duhet me u shtru është: ‘Kush deri sot vë para përgjegjësie ose a është marrë dikush me intervistim për të gjitha këto dëme kolosale që i paska shkaktuar komunës së Mitrovicës?’ E para. E dimë edhe qysh funksionojnë organet tjera, e dimë edhe kush ndikon, krejt i dimë, në Kosovë jetojmë. Por sidoqoftë, po më pëlqen se në seancën e fundit asamblistët i kanë dhënë përkrahje procesit ose dënimet të udhëheqësve të UÇK-së, dhe ti po e mban edhe maicën ‘Lira ka Emër’, por megjithatë unë këtu e kam një dokument të hartuar në vitin 2023, në të cilin shkruan Projekt Harta Zonale e Komunës së Mitrovicës së Jugut 2023/2031, e këtu është Plani Zhvillimor i qytetit, komunës së Mitrovicës. Anëtarët që e kanë dedikuar atë hapësirë në Kçiq, a e din kush janë? Numër një është Bedri Hamza, Arian Tahiri, Nexhmi Hasani, Edison Tërnava, Fahri Shaban, Drita Kadriu, Igballe Islami, Gëzim Stavileci, Granit Tmava, Ferdi Kadriu, numër 12, a e din çfarë emri mban? Valon Brahimi. Dokumenti zyrtar i administratës që kështu ti mbaje atje maicën ‘Lira ka Emër’, por edhe ‘Hipokrizia ka Emër’, hipokrizia e ka emrin Valon Brahimi”, tha Peci.