Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka apeluar për kujdes të shtuar në përballimin e temperaturave të larta, duke theksuar rrezikun e mundshëm që ato sjellin për sigurinë qytetare.
Në një njoftim, bëhet e ditur se vetëm gjatë katër ditëve të para të muajit korrik 2025 (nga data 01.07 deri më 04.07, deri në ora 19:00), Brigada Profesionale e Zjarrfikësve të Kryeqytetit ka pasur 73 intervenime emergjente.
Këto përfshijnë 8 zjarre në objekte, 32 zjarre në bar të thatë, 9 zjarre në male dhe shkurre, 3 zjarre në ara me grurë, 4 zjarre në mbeturina, 3 zjarre nga pajisje elektrike, 2 zjarre veturash, si dhe 5 intervenime teknike dhe 7 shërbime të tjera.
Drejtoria njofton se vetëm në ditën e djeshme (04.07.2025), janë trajtuar 19 raste emergjente, përfshirë 13 zjarre në bar të thatë dhe 2 në zona malore, duke theksuar rrezikshmërinë e shtuar që vjen si pasojë e valës së të nxehtit.