Është përuruar sot rruga ndërkufitare Gorozhup (Has të Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, deputetë të dy kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, Kurti aty tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, “të dy republikave tona të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha”.
“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra. Rruga e përuruar sot i lidhë fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Kryeministri theksoi se lidhja jonë me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur”, tha ai.
Durmishi tha se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është “e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë”.
