Një rast i rëndë i dhunës në familjë ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Prizrenit, ku një grua dhe vajza e saj e mitur kanë mbetur të plagosura rëndë si pasojë e një sulmi me thikë. Të dyja aktualisht ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Rajonal të Prizrenit.
Detaje rreth gjendjes shëndetësore të viktimave ka dhënë shefi i Emergjencës, dr. Hekuran Veçgishti.
“Po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Janë sjellë në emergjencë në orën 00:45, kanë pas plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme radiologjike. Në konsultim me kirurgun, janë pranuar në trajtim të mëtejmë. Për momentin pacientet janë në mjekim intenziv qendror.”, ka theksuar për IndeksOnline ai.
Rreth orës 00:20, në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia ka marrë informacion për një rast të dhunës në familje. Njësia patrulluese është përgjigjur menjëherë, dhe me të arritur në vendngjarje, ka gjetur në rrugë një grua të gjakosur me plagë të shkaktuara nga mjet i mprehtë, thikë.
Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë dhe më pas nga ekipi i urgjencës.
