Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, duke komentuar retorikën që po e përsërit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbi aleancën ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë se është e drejtuar kundër Serbisë, ai tha se asnjërës prej tyre s’i shkon në mend të kërcënojë integritetin territorial të askujt.
Ai tha se këto deklarata Vuçiq i bën për konsum të brendshëm.
“Ky lloj bashkëpunimi teknik që ekziston midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Është një tezë plotësisht e sajuar që duhet të mbështesë narrativën e një kërcënimi të jashtëm në nivelin politik të brendshëm. Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s. Nuk na shkon ndërmend neve, as Shqipërisë apo Kosovës, të kërcënojmë integritetin territorial të askujt”, tha Plenkoviq në një konferencë për media siç raporton Jutarnji.
