Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar 127 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 244 të tjerë gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë.
Shifrat janë bërë të ditura të premten nga drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, i cili tha se të arrestuarit dyshohen për vepra penale, përfshirë shkatërrimin e pronës dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë.
Ziu bëri të ditur se strukturat e specializuara për hetimin e krimit kibernetik dhe antiterrorizmin kanë nisur gjithashtu monitorimin e hapësirës virtuale.
Sipas tij, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi ku dyshohet se janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje kriminale, thirrje për akte ekstreme e terroriste, si dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.




