Austriaku, Johan Sattler, që e përfaqëson Bashkimin Evropian në Malin e Zi, ua ka “mbledhur betë” përfaqësuesve të shumicës parlamentare në Podgoricë, se unioni do ta ndërpres çdo marrëdhënie me shtetin, nëse vazhdon fushata e çnjohjes së Kosovës nga kuvendet komunale.
Është pikërisht, nismëtari i kësaj fushate anti-kosovare, kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), serbi Milan Knezheviq, ai që e bëri të ditur këtë kërcënim të njeriut të Brukselit, të cilit ia dha atributet e sundimtarit të Malit të Zi.
“Dhe Guvernatori i Malit të Zi, presidenti i të gjithë presidentëve, dielli që nuk perëndon kurrë dhe hëna që na mbikëqyr përjetësisht, Shkëlqesia e Tij Johan Sattler, pas çnjohjes së të ashtuquajturit shtet të Kosovës në Asamblenë Komunale të Plevljes, mblodhi shumicën parlamentare dhe i kërcënoi se nuk do të ishte më partneri i tyre nëse do të ndodhte një çnjohje tjetër”, tha Knezheviq në një video-paraqitje të tij, në rrjetet sociale.
