”Familja Haradinaj ka luftuar për ta mbrojtur këtë vend, jo për të mbrojtur kriminelë, siç po tentohet të interpretohet”.
Kështu është shprehur analisti politik Xhevdet Pozhari përmes një statusi në rrjetin social në Facebook.
Sipas Pozharit përkundrazi, ata kanë ndihmuar në pajtimin e shumë familjeve dhe e kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre për të qetësuar ndonjë zënkë, me aq sa kanë ditur dhe kanë mundur.
Reagimi i plotë:
Familja Haradinaj ka luftuar për ta mbrojtur këtë vend, jo për të mbrojtur kriminelë, siç po tentohet të interpretohet.
Përkundrazi, ata kanë ndihmuar në pajtimin e shumë familjeve dhe e kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre për të qetësuar ndonjë zënkë, me aq sa kanë ditur dhe kanë mundur.
Çdo politikan është i ekspozuar ndaj njerëzve të ndryshëm. Pjesë e punës së tij janë takimet, fotografitë dhe komunikimi me qytetarë. Por askush nuk mund të mbajë përgjegjësi penale për veprat që mund t’i kryejë dikush me të cilin është fotografuar apo takuar. Përgjegjësia penale është individuale.
Shqetësimi ynë sot duhet të jetë pse ligji nuk po zbatohet njësoj për të gjithë. Raportet për sistemin e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për sundimin e ligjit dhe trajtimin e (pa)barabartë para drejtësisë.
Askush nuk dëshiron të jetojë në një shtet ku gratë vriten edhe për shkak të dështimit të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.
Prandaj, pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve është: A i kemi institucionet për ta mbrojtur të dobëtin, apo ato që duhet të jenë në shërbim të tij përfundojnë në anën e të fortit?
Familja Haradinaj, ndër vite, e ka përsëritur disa herë kërkesën që emri i saj të mos përdoret nga askush për qëllime të veta.
Ramush dhe Daut Haradinaj, si politikanë, duhet të gjykohen si gjithë të tjerët: për idetë, qëndrimet, veprimet dhe alternativën politike që ofrojnë.
Kritika politike është legjitime. Por goditja e ulët, pa argumente dhe përmes insinuatave, nuk është as drejtësi, as debat i ndershëm.