Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mërkuren e fundit ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit pas shqyrtimit të të gjitha ankesave si nga PZAP ashtu edhe nga Gjykata Supreme. Pas certifikimit të rezultateve, partitë politike kanë plotësisht 30 ditë kohë për ta konsitutuar Kuvendin si hap i parë për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, ku partitë politike në vend kanë “çaluar” më parë.
Mos-zgjedhja e Presidentit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e dërgoi vendin në zgjedhje të reja, ndërkaq secila parti politike kishte qëllimin që do të rriste rezultatin por që kjo nuk ndodhi tek VV e PDK, ndërkaq LDK u rrit për 3%.
Por, edhe rezultati i korrur më 7 qershor, nuk i mundësoi asnjërës parti që të zgjidh ngërçet në të trija institucionet pa bashkëpunim.
Kërkesa për bashkëpunim e bëri kryeministrin në detyrë Albin Kurti që të thërras në takim liderët e partive të tjera politike, që të gjejnë në zgjidhje për Presidentin.
Ftesës që dërgoi ai të enjtën, iu përgjigjen pozitivisht lideri i PDK-së Bedri Hamza dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku, ndërkaq ai i Aleancës, Ardian Gjini nuk shkoi në takim.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se kërkesat e tyre për bashkëpunim me Kurtin i kishin bërë publike ditë më parë, dhe se kuorumin për President do t’ia siguronin vetëm nëse Kurti pajtohej me ato kërkesa.
“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojmë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, ka deklaruar Gjini në Facebook.
Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:
Lidhur me postin e Presidentit, Gjini potencoi se ndonëse Aleanca konsideron se Kosova nuk do të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj, ky fakt nuk përbën kusht për procesin. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje mes partive të tjera rrezikon ta çojë vendin në krizë permanente.
“Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës. Ne nuk mund të pajtohemi që Kosova të mbetet në krizë”, tha Gjini.
Këtë refuzim të ftesës për takim, e ka komentuar Kurti para mediave, ai tha se kjo nuk është në rregull.
“LVV është fituese e zgjedhjeve, ne edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, padyshim se do të jemi bashkë në institucione. Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar siç është AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, tha Kurti.
Takimi mes Kurtit dhe Hamzës u zhvillua të premtën, ndërkaq ai nuk solli rezultat.
Hamza pasi doli nga takimi tha se PDK ka vendosur që të qëndroj në opozitë.
“Sapo e përfunduam takimin me z.Kurtin. Ju e dini qëndrimin tim që ka qenë publik, që PDK ka garuar me një program, ka garuar me prioritete të cilat kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, me fushën e mirëqenies sociale, duke përfshirë rritjen e pagave, pensioneve dhe gjitha pagesave të tjera, me projekte në energji dhe infrastrukturë dhe ky ka qenë prioriteti ynë që ne të bëjmë punë dhe veprime se si ta përmirësojmë këtë vend dhe si ta përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës. Për t’i zbatuar këto prioritete, kemi thënë që PDK nuk ka vija të kuqe, është e hapur për të biseduar pa u imponuar për marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë gjitha institucionet. Bazuar në bisedat dhe diskutimet që i kemi pasu, normalisht korrekte, është që PDK në këtë mandat të jetë në opozitë dhe ne ju dëshirojmë sukses z.Kurti dhe gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, përveç PDK-së, në Kuvendin e Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë, matematikisht ka mundësi që të bëhet kompletimi i gjitha institucioneve. Këtu është pozita e PDK-së. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit, në dobi dhe interes të qytetarëve të Kosovës.”, tha Hamza.
Pas këtij takimi, Kurti tha se nuk kanë ndonjë rezultat konkret.
“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret që do mund ta ndaja me publikun. Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit sivjet, asnjëherë në pranverë e ishte hera e parë në këtë verë e uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të vazhdojë”- deklaroi Kurti më 10.07.2026.
Ai gjithashtu tha edhe se zgjedhja e Presidentit nuk është obligim vetëm i partisë fituese.
“Zgjedhja e presidentit nuk është përgjejgësi vetëm e partisë fituese, është menduar që të bëhet në bashkëpunim me partitë tjera. Jemi për figurë konsensusale, që ka vlera të dëshmuara kombëtare, qytetare dhe profesionale”- deklaroi Kurti.
Takimi mes Kurtit e Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit u zhvillua pak orë më vonë pas atij të Kurtit dhe Hamzës.

