Pas dy dekadash e gjysmë, qytetarët që jetojnë në veri të vendit do t`i marrin faturat mujore për shpenzimin e ujit. Me gjithë vështirësitë në këtë zonë, pasi mungojnë adresat e probleme të tjera komunale, ky projekt pritet të jetësohet në mars ose prill të këtij viti.
E nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” kanë thënë se janë duke rekrutuar staf për të vazhduar më tutje me procesin.
“Jemi në proces të rekrutimit të stafit, shpresojmë që në javën e ardhshme të hapim konkursit për pjesës tjetër të stafin, Menaxherët e njësive veç kanë filluar punën që nga data 5 për tri njësitë operative në veri, po ashtu edhe për impiantin në Zubin Potok”, tha për RTK, Bashkim Kurti, kryeshef në KRU “Mitrovica”.
Autoritetet bëjnë të ditur se faturimi nuk do të jetë retroaktiv, pasi fillimisht duhet të bëhet regjistrimi i konsumatorëve dhe instalimi i matësve të ujit.
“Jo, retroaktivisht nuk mundemi me u kthy se është proces i cili don kohë. Fillimisht duhet stafi, duhet evidentimi i konsumatorëve, regjistrimi se nuk kemi as numër të saktë në atë pjesën andej. Ka punë, por po shpresojmë orientimisht që diku nga data me fillu diku mars – prill i këtij viti edhe të shohim qysh po na shkojnë proceset në fund”, tha ai.
Ndërkohë, një pjesë e qytetarëve në veri shprehen të gatshëm ta paguajnë ujin, për sa kohë furnizimi mbetet i rregullt.
