Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një konferencë për media dha detajet më të fundit nga procesi zgjedhor i 28 dhjetorit.
Ai foli rreth problemeve me energji elektrike në disa komuna, dhe për hapat që janë ndërmarrë në rregullimin e këtij telashi.
“Jemi duke pranuar raportime të ndryshme nga qendrat e votimit lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor. Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës, dhe dy qendra të tjera në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm në rikthimin e energjisë elektrike dhe sipas informacioneve kjo ka ndodhur për një kohë shumë të shpejtë”, tha ai.
Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të gjata, pasi siç thotë ai, po intervenohet shpejt nga ekipet kompetente.
