Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Mahmut Hoxhajt (1981), i dyshuar për plagosjen e dy personave të premten pas shpalljes së një aktgjykimi në Gjykatën Themelore të Pejës.
Sipas kërkesës së Prokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, i dyshuari ndodhet në ndalim policor që nga pasditja e 17 tetorit 2025, me dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari kishte qenë palë në një proces gjyqësor që kishte përfunduar pak minuta më herët me lirimin e palës tjetër. Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, Hoxhaj dyshohet se ka dalë në parkingun prapa gjykatës, ku ka pritur viktimat dhe ka shtënë në drejtim të tyre me dy armë automatike të tipit AK-47, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga të shtënat me armë zjarri dy persona mbetën të plagosur rëndë dhe u dërguan fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku morën trajtim urgjent. Njëri prej tyre është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë për shkak të plagëve serioze në pjesën e kraharorit.
