GazetaDemos pak më parë raportoi për detaje të reja rreth plagosjes së trefishtë në një lokal në Deçan, ku plagë morën dy persona të nacionalitetit serb, e një shqiptar .
Siç bën të ditur burimet, në po të njëjtin lokal i cili është në afërsi të stacionit policor, ishte edhe një polic që ndërhyri në rast, me çrast arriti ta neutralizojë e më pas ta prangos të dyshuarin.
Pas neutralizimit e prangosjes në lokal, me njoftim të policit të lartëcekur, erdhi një ekip policor i cili vazhdoi me trajtimin e rastit.
Raportimin e GazetësDemos e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Pas mesnatës në një lokal në Deçan ka ndodhur një rast ku janë plagosur tre persona nga një person i dyshuar. Në këtë rast ka intervenu një zyrtar policor, i cili e ka autorizu personin e dyshuar dhe për fat të mirë i njëjti është arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Menjëherë ka dalë Policia e Kosovës në ndihmë, teknika edhe njëkohësisht prokurori i Krimeve të Rënda”.
“Personi i dyshuar është arrestuar dhe tre personat e tjerë janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor” tha Nikçi për GazetënDemos.
Nikçi gjithashtu konfirmoi se dy nga të plagosurit janë të nacionalitetit serb, teksa i plagosuri tjetër është i nacionalitetit shqiptar.
“I plagosuri i nacionalitetit shqiptar ka qenë bashkë me ta dhe është avokat”, tha ai.