Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve K.K., Sh.G., V.S., dhe L.G., të cilët gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë së të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”, ndërsa K.K., dhe Sh.G., kanë kryer po ashtu edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” .
Sipas aktakuzës, më datë 03.02.2026, rreth orës 01:05, në Prizren, në afërsi të “Tregut të Gjelbër”, të pandehurit, pas një marrëveshjeje paraprake ndërmjet tyre, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të të dëmtuarës L.R., duke përdorur kanosje serioze me armë dhe thikë.
“Të pandehurit e lartcekur, të maskuar dhe të armatosur, i janë afruar automjetit ku ndodheshin të dëmtuarit L.R., dhe H.S., dhe nën kërcënim të thikës dhe armës, të dëmtuarve u kanë kërkuar para, ku nga e dëmtuara L.R., kanë marrë të holla kesh, si dhe nga automjeti është marrë një send me vlerë të vogël”, thuhet në njoftim.


