Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon hetim të menjëhershëm për pretendimet për dhunë ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, si dhe respektimin e të drejtave të personave të ndaluar.
Pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka shprehur shqetësim serioz për pretendimet për ushtrim dhune nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve.
Në një deklaratë, KShH ngre shqetësime edhe për kushtet e mbajtjes së personave të ndaluar, respektimin e të drejtave procedurale dhe aktet e dhunës, zjarrvënies e dëmtimit të institucioneve publike gjatë protestave.
Sipas monitorimit të kryer më 16 tetor 2026 në ambientet e sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, organizata konstatoi mbipopullim dhe kushte të papërshtatshme, ku në dhoma të projektuara për një person mbaheshin tre deri në katër persona, kryesisht të mitur.
KShH bën me dije se disa prej personave të ndaluar kanë pretenduar se janë dhunuar gjatë arrestimit dhe pas shoqërimit në ambientet e policisë. Sipas deklaratës, monitoruesi i organizatës ka konstatuar dëmtime fizike të dukshme në disa raste, ndërsa një i mitur u dërgua për herë të dytë në Spitalin e Traumës gjatë monitorimit.
Organizata kërkon që pretendimet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe efektive, duke përfshirë edhe përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve policorë dhe të zinxhirit komandues.




