Në deklaratën e tij, Starmer bëri të ditur se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryeministrit deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij, me qëllim që të sigurohet një tranzicion i rregullt i pushtetit.
Vendimi i Starmer vjen pas muajsh presioni në rritje brenda Partisë Laburiste. Udhëheqësi laburist ishte përballur me rënie të mbështetjes në sondazhe, ndërsa kritikat u shtuan pas emërimit të Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar, raporton BBC .
Goditjen më të rëndë politike ai e mori pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet për parlamentet e Uellsit dhe Skocisë, si dhe në zgjedhjet lokale në disa pjesë të Anglisë.
Rezultatet u cilësuan si zhgënjyese nga shumë deputetë laburistë, të cilët i kishin konsideruar ato si një test vendimtar për aftësinë e Starmerit për të rikthyer besimin e elektoratit.
Pas humbjeve zgjedhore, pasuan edhe dorëheqje të rëndësishme brenda kabinetit
Wes Streeting u largua nga posti i sekretarit të shëndetësisë, ndërsa disa ministra të tjerë vendosën të japin dorëheqjen.
Situata u përkeqësua më tej kur një aleat i Andy Burnham hoqi dorë nga mandati i deputetit në Makerfield, duke i hapur rrugën kryebashkiakut të atëhershëm të Greater Manchester për t’u rikthyer në Westminster dhe për të sfiduar lidershipin e partisë.
Megjithëse Starmer kishte arritur më herët ta pengonte Burnhamin të kandidonte në një zgjedhje të pjesshme, pas rezultateve të dobëta zgjedhore ai nuk kishte më mbështetjen dhe autoritetin e nevojshëm për të ndalur ambiciet e rivalit të tij.
Pozicioni i tij u dobësua edhe më shumë pas largimit të John Healey nga posti i sekretarit të mbrojtjes, pas mosmarrëveshjeve të brendshme lidhur me politikat e shpenzimeve ushtarake.
Fitorja bindëse e Burnham në Makerfield javën e kaluar dhe rritja e avantazhit të Laburistëve ndaj Reform UK forcuan bindjen e shumë deputetëve se ai ishte kandidati më i përshtatshëm për të marrë drejtimin e partisë.
Edhe pse fillimisht Starmer kishte deklaruar se do të përballej me çdo sfidë ndaj lidershipit të tij, ai përfundimisht arriti në përfundimin se nuk gëzonte më mbështetjen e nevojshme brenda grupit parlamentar për të vazhduar betejën politike.
Partia Laburiste ende nuk ka publikuar një kalendar zyrtar për garën e lidershipit, por Starmer bëri të ditur se kandidatët do të kenë kohë nga 9 deri më 16 korrik për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidim.
