Çdo ditë në Kosovë, mesatarisht 10 persona marrin diagnozën e kancerit. Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tregon se kanceri po prek gjithnjë e më shumë njerëz, dhe jo vetëm në moshë të shtyrë.
“Kanceri është bë si grip.” Këtë frazë e kemi dëgjuar shpesh. Shifrat zyrtare tregojnë se ajo nuk është krejt pa bazë.
Sipas Raportit të Sëmundjeve Malinje për periudhën janar–dhjetor 2025, në Kosovë u raportuan 3,775 raste të reja me kancer. Kjo i bie rreth 10 diagnoza në ditë dhe një incidencë prej 235.6 rastesh për 100,000 banorë. Në vitin 2012 ishin raportuar 1,588 raste të reja, që do të thotë se numri është më shumë se dyfishuar në 13 vjet.
Nëse numërohen edhe pacientët e diagnostikuar më herët që u trajtuan ose u ndoqën gjatë vitit, sistemi shëndetësor regjistroi 5,564 persona me kancer në vitin 2025.
Pjesa e rritjes mund të vijë edhe nga raportimi më i mirë. Por vetë raporti pranon se jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rastet. Kjo do të thotë se numri real ka shumë gjasa të jetë edhe më i lartë.
Gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të reja: 1,927 nga 3,775. Kanceri i gjirit është larg i pari, me 592 raste, ose 31% e të gjitha kancereve te gratë.
Më shqetësuese është mosha. Një e treta e grave me kancer të gjirit (206 nga 592) ishin nën 50 vjeç, dhe raporti shfaq raste që në grupmoshën 25–29 vjeç. Në përgjithësi, gati gjysma e grave me kancer (49%) u diagnostikuan para moshës 60 vjeç.

Rastet e reja me kancer të gjirit te gratë sipas grupmoshës, 2025.

Kanceret më të shpeshta te gratë, 2025.
Në listë nuk është përfshirë kanceri i lëkurës që nuk është melanoma (211 raste), i cili zakonisht shërohet lehtë dhe shpesh përjashtohet nga krahasimet ndërkombëtare.




