Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës do të hyjnë në grevë më 1 shtator 2026, nëse deri më 31 gusht nuk u paguhen pagat e mbetura për muajin korrik.
Vendimi është marrë gjatë një takimi të Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës me kryetarët e shoqatave sindikale. Pas diskutimeve, përfaqësuesit janë pajtuar që greva të nisë në rast se mjetet nuk kalojnë në llogaritë bankare të punëtorëve brenda afatit të përcaktuar.
Sipas Federatës, vendimi është i përbashkët dhe vjen si pasojë e mosrealizimit të pagesave për punën e kryer.
“Punëtorët nuk mund t’i bartin pasojat e procedurave administrative dhe të prokurimit. Kërkesa jonë është e qartë: puna e kryer duhet të paguhet”, thuhet në njoftim.
