Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë ankesën e listës së përbashkët të partive opozitare serbe në Kosovë, “Bashkë fitojmë”, ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar atë për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
PZAP-ja tha të shtunën se, pasi bëri vlerësimin e ankesës dhe provave, erdhi në përfundim se ankesa e opozitës serbe ishte “e pabazuar dhe e paqëndrueshme”. Ajo tha se lista “Bashkë fitojmë” kishte dështuar t’i plotësonte kushtet e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm edhe pasi KQZ-ja i kishte kërkuar ta bënte një gjë të tillë.Komisioni Zgjedhor nuk e certifikoi atë ditë më parë pasi gjeti se ajo nuk e kishte përmbushur kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve prej të paktën 1.000 sosh.
Në listën e “Bashkë fitojnë” kishte kandidatë nga gjashtë subjekteve politike opozitare serbe në Kosovë: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re dhe Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare Veriu për të Gjithë dhe Rrënjët.PZAP theksoi se komisioni kishte konstatuar se kjo listë i kishte dorëzuar 1.087 nënshkrime mbështetëse, por për 576 prej tyre mungonin numrat e telefonit, ndërsa 80 njerëz nga lista e nënshkrimeve nuk ishin të qasshëm në numrat e dhënë. Madje, sipas saj, disa kishin deklaruar se nuk kishin nënshkruar personalisht.
KQZ nuk e certifikoi përfundimisht listën “Bashkë fitojmë” edhe pasi i kërkoi ta plotësonte listën e nënshkrimeve, duke thënë se ajo kishte dështuar ta dorëzonte atë brenda afatit të kërkuar.Lista “Bashkë fitojmë” mund të ankohet në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimit të PZAP-së.
Subjektet politike jashtëparlamentare janë të detyruara t’i dorëzojnë të paktën 1000 nënshkrime mbështetëse për të marrë pjesë në zgjedhje.Lista “Bashkë fitojmë” pretendon se bëhet fjalë për një “precedent”, pasi dhënia e numrave të telefonit të të gjithë nënshkruesve nuk ka qenë detyrim në proceset e mëparshme zgjedhore. Ajo gjithashtu pretendon se ka dorëzuar rreth 1.400 nënshkrime, më shumë se kushti ligjor.Për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit janë certifikuar tri koalicione, 17 parti politike dhe një kandidat i pavarur. Nga subjektet politike serbe, është konfirmuar pjesëmarrja e Listës Serbe dhe e partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit.Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po mbahen pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Partitë politike nuk arritën konsensus rreth zgjedhjes së presidentit pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në fillim të prillit.Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare në 18 muajt e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025./REL/