Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Me të përfunduar numërimi, KQZ-ja publikoi edhe rezultatet nga ku doli se Vetëvendosje arriti të marrë 51.11% të votave.
PDK-ja u rendit si parti e dytë me 20.19 për qind ndërsa LDK-ja mori 13.23%. AAK-ja ndërkaq mori 5.50%.
E derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi numërimin, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vazhduar deri më sot trajtimin e ankesave të cilat janë bërë në kuadër të këtyre zgjedhjeve.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, PZAP bëri të ditur se që nga fillimi i këtij procesi kanë pranuar gjithsej 73 ankesa.
E sot ka përfunduar edhe trajtimi i tyre. Më saktësisht janë trajtuar gjithsej 73 ankesa të paraqitura më parë, që i bie që KQZ do të mund t’i certifikojë më pas edhe rezultatet finale të këtyre zgjedhjeve.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për këtë proces zgjedhor të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura me datë 28.12.2025 ka pranuar gjithsej 73 ankesa”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, të premten vonë PZAP e hodhi poshtë si të pa afatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata.
