Më 10 prill, Kuvendi i Kosovës ka votuar për Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur gjerësisht si Ligji për Çmimet Tavan.
Ky ligj është është shtyrë përpara nga Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin që beson që një ligj i tillë do të rregullonte problemin e inflacionit në vend.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin mars inflacioni ishte 6,7, një normë që konsiderohet shumë e lartë në ekonomi.
Për frenimin e këtij inflacioni pushteti beson se nevojitet një rregullim ligjor, por kjo përpjekje ka një histori.
Në tetor të vitit 2022, Kosovës pati miratuar pati miratuar Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore, që përfshinte produkte si drithërat, buka, mielli, orizi, vajrat ushqimorë, vezët dhe produktet e higjienës personale.
Por, më pas ligji u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me ç’rast Gjykata, në nëntor të vitit 2023, vendosi se ligji ishte antikushtetues, me arsyetimin se cenonte nenin 10 ku Kosova definohet si Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë.
Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje kishte filluar të akuzonte opozitën se kanë penguar frenimin e rritjes së çmimeve. Kjo narrativë ishte aplikuar edhe gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit 2025.
Albin Kurti ka premtuar miratimin e këtij ligji, që sipas tij frenon “abuzimin e tregtarëve”.
Rafuna kërkon plotësimin e ligjit për çmimet tavan, paralajmëron paqartësi interpretimi dhe rreziqe për tregun
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se projektligji për çmimet tavan ka mangësi të theksuara dhe kërkon përmirësime substanciale para miratimit.
Në një prononcim për Gazetën Express ai ka thënë se ligji lejon shumë hapësira për interpretim dhe keqpërdorim.
“Qëndrimi ynë është se ligji ka nevojë të punohet dhe të plotësohet shumë më tepër, pasi përmban paqartësi dhe lë hapësirë për dyshime e hamendësi. Ky është një ligj shumë i ndjeshëm dhe kërkon të jetë i shkruar në mënyrë të qartë. Në momentin kur përmendet destabilizimi i tregut, duhet të përcaktohet saktë se kur ndodh ai. Po ashtu, duhet të qartësohet mënyra e vendosjes së çmimeve tavan dhe për cilat produkte ato do të aplikohen”, ka deklaruar Rafuna. “Ajo që nuk parashihet është paketa mbështetëse pas vendosjes së çmimeve tavan. Nuk mund të vendoset një çmim më i ulët për një produkt që blihet më shtrenjtë, sepse në atë rast ai produkt mund të mos importohet fare. Kjo rrezikon që qytetarëve t’u ofrohen produkte me cilësi më të ulët dhe të ketë ndikim në shëndetin e tyre. Ne kërkojmë që ligji të plotësohet sipas praktikave të vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian”.
Rafuna ka kërkuar gjithashtu që organi vendimmarrës për çmimet tavan të jetë i pavarur dhe i bazuar në analiza të detajuara, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e sektorit privat.
“Sa i përket bordit që do të marrë vendime, ne kemi kërkuar që ai të jetë plotësisht i pavarur dhe të realizojë një studim të hollësishëm për të përcaktuar se për cilat produkte, mallra dhe në cilat momente duhet të vendosen çmime tavan. Po ashtu, pjesë e këtij bordi duhet të jetë edhe Oda Ekonomike, si përfaqësuese ligjore e sektorit privat, pasi nuk është organizatë joqeveritare, por është e themeluar me ligj.”
