Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka reaguar pas kritikave të adresuara ndaj tij lidhur me shërbimin ushtarak të djalit të tij në Kroaci, duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe manipulative.
Në foltoren e Kuvendit, ai tha se djali i tij, Dritoni, nuk është dërguar në ushtrinë kroate përmes ndikimit politik apo privilegjeve.
Sipas tij, djali i tij ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë, por gëzon edhe shtetësinë kroate, gjë që e obligon ligjërisht t’i nënshtrohet shërbimit ushtarak në Kroaci.
“Ai nuk është dërguar me asnjë ndikim politik, privilegj apo proteksion. Si çdo shtetas tjetër i Kroacisë, ai i nënshtrohet bazës ligjore për shërbimin obligativ ushtarak”, deklaroi Quni.
Deputeti hodhi poshtë edhe pretendimet se shërbimi ushtarak i djalit të tij është financuar nga taksapaguesit e Kosovës.


