Ndonëse gjendet në listën e kërkimit të Interpolit dhe është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq mbetet pa aktakuzë të ngritur, me një masë të zgjatur nga Gjykata e Lartë në Beograd, që e ndalon largimin e tij nga Serbia. Ai vazhdon të jetë i lirë, madje vetë qytetarët serbë kanë filluar të ankohen se po paraqitet si udhëheqës i një grupi që kërcënon e frikëson të gjithë ata që nuk e përkrahin pushtetin.
Ekspertë të sigurisë në Serbi vlerësojnë se kërcënimet që qytetarët i marrin nga ish-kryetari i Listës Serbe tregojnë mungesë të vullnetit institucional për t’u përballur me strukturat kriminale.
Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Milan Radoiçiq është ende i lirë, ndërkohë që qytetarë të shumtë nëpër Serbi dëshmojnë se ai udhëheq grupe që frikësojnë kundërshtarët e regjimit.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, për të cilin ekziston urdhër-arrest, nuk nguron të marrë pjesë në forma të hapura duke kërcënuar e frikësuar qytetarët që nuk përkrahin politikën aktuale.
Këtë e ka pohuar edhe kryetari i Partisë Demokratike opozitare, Srgjan Millivojeviq, duke nënvizuar se e gjithë kjo ndodh me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Një iniciativë qytetare nga komuna e vogël Kosjeriqi njoftoi se Radoiçiqi është parë duke kërcënuar qytetarë.
