Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka folur për problemet në kryeqytet, lidhur me buxhetin, infrastrukturën, e çështje të tjera, të cilat përballen banorët e Prishtinës.
Rama për buxhetin e komunës, për të cilin ka alarmuar dje, përmes një postimi në Facebook’, e ku kishte kritikuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti është miratuar më 9 dhjetor të vitit të kaluar nga asambleja e kryeqytetit, me të cilin është planifikuar të punohet në vitin 2025.
Ai më tej tha se për miratimin e këtij buxheti LVV dhe PDK në nivelin lokal kanë tentuar ta bllokojnë.
Rama sqaroi se në nëntor të 2024-tës Kuvendi Komunal pati miratuar buxhetin.
“Menjëherë pas aprovimit të buxhetit nga Kuvendi, ne i kemi shkruar ministrit që të ndërmarrë masa për të aprovuar buxhetin, sepse është çështje teknike, e cila dërgohet në Parlament, miratohet e vazhdon tutje dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë, qoftë në janar, shkurt. Kurse pas zgjedhjeve tani thirren se nuk ka konstituim të Kuvendit dhe nuk mund të miratohet buxheti i vitit 2025 për kryeqytet, ndërsa na thonë që duhet punuar me buxhetit e vitit të kaluar”, deklaroi Rama në InfoPlus të RTK-së.
Ai më tej tha se edhe me fondin e vitit të kaluar bëhet bllokadë, teksa vuri në dukje se në cilat vija buxhetore i është lejuar të manovrojë.
“Nuk e miratojnë siç ceket në ligj 1/12, por vetëm në vija buxhetore që lejohen për vitin 2025. Pra, në njërën anë, nuk e pranojnë buxhetin e vitit 2025 e, në anën tjetër, kur vjen puna për transferimin e fondeve nga buxheti i 2024-tës, nuk i transferojnë, sepse thonë që nuk janë të parashikuara në vitin 2025”.
Rama përmendi kontratat e nënshkruara me operatorë të ndryshëm në vitet e mëparshme, puna e të cilëve është kryer dhe duhet bërë pagesën, derisa vuri në dukje se borxhet ndaj këtyre operatorëve kryhen përmes përmbaruesve.
“Kjo ndikon në shterjen e subvencioneve, që na pamundëson të ndihmojmë fëmijët tanë në çerdhe, shkolla, në sigurimin e ushqimit për ta, që t’ju ndihmojmë personave në nevojë, mos të flasim për sportistë, artistët, bujqit, qendrat e mjekësive familjare, nuk do të mund të kryejmë pagesat për rrymë, as ujë, etj.”, tha Rama, teksa shtoi se “nga kjo ministri janë bllokuar edhe të hyrat vetanake të komunës, e që ministri në detyrë, Murati, thotë që unë po rrej”.
