Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka caktuar një takim më 19 dhjetor, në të cilin do të diskutohet për hapat e mëtejshëm lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
Duke folur në “Debat Plus” në RTV Dukagjini për paralajmërimin e tij rreth rrezikut të dështimit të organizimit të lojërave, Rama tha se më 15 tetor kanë pranuar një email nga ICMG-ja. Sipas tij, emaili, të cilin e kanë bërë publik, nxjerr në pah probleme në komunikim dhe në përmbushjen e obligimeve të Qeverisë së Kosovës ndaj komitetit.
“Tash e kemi edhe një datë të re, 19 dhjetori ku ICMG thërret edhe një takim ku vendoset se çka bëhet më tutje”, ka thënë Rama.
Ai tha se i janë përgjigjur menjëherë emailit, duke e cilësuar çështjen si serioze dhe me rëndësi ndërkombëtare.




