Në ditën e pestë të protestave studentore, pas orësh të tëra përplasjesh në rrugët e Tiranës, përballë kryeministrisë në terren u nxorr një nga strukturat më të specializuara të Policisë së Shtetit.Forcat RENEA, të pajisura me armatim të rëndë dhe të përgatitura për operacione kundër terroristëve, pengmarrësve dhe kriminelëve të armatosur zbritën nga mjetet dhe u pozicionuan pranë kryeministrisë, përballë turmave të studentëve dhe gjimnazistëve që kërkonin largimin e Edi Ramës.
RENEA është shkurtimi i emërtimit Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur. Njësia speciale e Policisë së Shtetit është trajnuar për ndërhyrje në situata me rrezikshmëri të jashtëzakonshme, përfshirë operacionet antiterroriste, pengmarrjet, arrestimin e personave të armatosur dhe neutralizimin e grupeve kriminale.Pamjet më poshtë tregojnë efektivët e RENEA-s që qëndrojnë me armatime në duar, disa prej tyre me snajperat gati, ndërsa turma e protestuesve gjendej pak hapa më tej.
Për pesë ditë me radhë, protestat ishin shoqëruar me përplasje të dhunshme, breshëri gurësh, dëmtime ndërtesash dhe sulme ndaj policisë. Por deri më tani një gjë është e sigurt, që studentët nuk kanë përdorur armë zjarri. Ky është një fakt që duhet theksuar, pasi e bën të pazakontë përfshirjen e RENEA-s, një repart i krijuar për neutralizimin e kërcënimeve të armatosura dhe jo për shpërndarjen e turmave.Gazetarët që raportonin për protestën thanë se kanë parë tri autoblinda të RENEA-s u pozicionuan në krah të godinës së kryeministrisë, ndërsa përballë tyre qëndronin protestuesit.
Mobilizimi erdhi pas një jave të vështirë për policinë, efektivët e së cilës ishin përballur me sulme të vazhdueshme dhe për orë të tëra, efektivët e policisë kanë qëndruar përballë breshërisë së gurëve që hidhnin protestuesit.Angazhimi i një njësie të tillë, veçanërisht me armë precizioni, kërkon një justifikim konkret sigurie. Sipas ligjit, as dhuna ndaj policisë dhe as dëmtimi i pronës nuk përbëjnë, në vetvete, autorizim për përdorimin e armëve të zjarrit kundër një grupimi ku janë studentë dhe gjimnazistë.
Ende nuk është bërë i ditur zinxhiri i vendimmarrjes që çoi në angazhimin e repartit special. Nuk dihet nëse urdhri u dha nga drejtuesit operacionalë të policisë apo nëse vendimi u mor në një nivel më të lartë politik. Megjithatë, përgjegjësia politike për mënyrën se si qeveria po menaxhon protestat mbetet te Edi Rama. Në vetvete, ky vendim i dirigjuar nga Edi Rama dëshmon edhe për pozicionin e vështirë ku e ka vendosur protesta e studentëve pushtetin politik.Për ta kuptuar çfarë ndodh sot me Ramën, mjafton t’i rikthehemi një fjalimi të atij vetë të mbajtur rreth gjashtë vjet më parë, në 2020 gjatë një aktiviteti me forcat RENEA.




