Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re tarifash prej 10 për qind për importet ndaj të gjitha shteteve, që ka hyrë në fuqi më 24 shkurt. Sipas një raporti të publikuar më 26 shkurt nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Kosova renditet ndër vendet më të goditura nga këto tarifa në rajonin ku operon kjo bankë.
Sipas BERZH-it tarifat e importit të SHBA-së për vendet e rajonit janë rritur mesatarisht me 0.3 pikë përqindjeje, ndërsa 29 shtete përballen tani me tarifa më të larta. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në Armeni, Egjipt, Kenia, Kosovë dhe Ukrainë.
“Rritja e tarifave për Armeninë, Egjiptin, Kenian, Kosovën e Ukrainën lëviz nga +3.7 deri në +4.8 pikë përqindjeje”, thuhet në raport.
Ndërkohë, disa vende të tjera të rajonit si Bosnja dhe Hercegovina e Serbia, si dhe Moldavia e Tunizia konsiderohen përfituese relative nga ndryshimet e fundit tarifore pasi tarifat ndaj tyre ose kanë pasur rritje shumë më të vogël, ose kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.
Raporti nënvizon se, mesatarisht, tarifat e importit të SHBA-së për vendet ku operon EBRD-ja janë rritur nga 14.6 në 15 për qind, duke rritur presionin mbi eksportuesit, përfshirë edhe ata nga Kosova.
