Kosova ka mbetur në Nivelin 2 në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026, pasi, ndonëse ka shënuar përparim në disa fusha, ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni.
Sipas raportit, Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore, duke dënuar më shumë trafikantë dhe duke rritur financimin për shërbimet në mbështetje të viktimave dhe aktivitetet parandaluese.
Megjithatë, DASH-i ka evidentuar edhe mangësi, përfshirë rënien e numrit të personave të dyshuar për trafikim ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Po ashtu, ndonëse më shumë trafikantë janë dënuar me burgim, shumica e dënimeve kanë qenë nën minimumin e paraparë me ligj.
Raporti vë në pah edhe trajtimin e rasteve të lypjes së detyruar të fëmijëve. Sipas DASH-it, autoritetet nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e tilla si vepra të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore, ndërsa janë identifikuar mangësi në procedurat për zbulimin dhe mbrojtjen e viktimave.
Gjatë periudhës së raportimit, Qeveria e Kosovës ka identifikuar 13 viktima të trafikimit, krahasuar me 14 në vitin 2024. Të gjitha viktimat e identifikuara ishin shfrytëzuar seksualisht nga trafikantët. Dy prej tyre ishin gra dhe 11 vajza, ndërsa asnjëra nuk ishte shtetase e huaj.
Sipas raportit, Qeveria kishte në funksion procedurat standarde të veprimit dhe Mekanizmin Kombëtar të Referimit për identifikimin, mbrojtjen dhe referimin e viktimave. Megjithatë, vëzhguesit kanë raportuar mungesë udhëzimesh dhe përpjekjesh proaktive për identifikimin e viktimave të lypjes së detyruar, veçanërisht të fëmijëve.

