Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin krahasues dhe analizues mbi programet politike të partive kryesore pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Gjatë prezantimit të raportit u theksua se asnjë nga programet politike të partive pjesëmarrëse nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se raporti nuk vlerëson përshtatshmërinë politike apo adekuatshmërinë e zgjidhjeve të propozuara nga partitë, por fokusohet në nivelin e elaborimit, strukturimit dhe konkretizimit të angazhimeve programore.
“Vlerësimi është bërë mbi një metodologji të njëjtë dhe uniforme për të gjitha programet politike”, tha Shala, duke shtuar se raporti analizon se sa masat e propozuara janë të prezantuara në mënyrë të qartë, të strukturuara, të buxhetuara dhe të përcaktuara me afate kohore.
Sipas tij, vlerësimi është realizuar përmes dhjetë indikatorëve, të ndarë në dy shtylla kryesore: qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Në kuadër të qeverisjes së mirë janë vlerësuar barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia, depolitizimi i administratës publike, dixhitalizimi dhe pavarësia e mediave. Ndërsa, indikatorët që lidhen me sundimin e ligjit përfshijnë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, integritetin në fushën e prokurimit publik, Vettingun në drejtësi dhe të drejtat e njeriut.
Shala theksoi se diferencat në poentim ndërmjet partive janë relativisht të vogla dhe nuk pasqyrojnë plane të mirëfillta reformuese.
