Marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2024, kanë qenë të testuara seriozisht dhe kanë pasur një mungesë të koordinimit politik. Si rrjedhojë e kësaj, tensionet diplomatike kanë qenë gjithmonë të pranishme.
Kështu u tha sot në prezantimin e raportin vjetor “Vjetari i politikës së jashtme të Kosovës 2024–2025: Sfidat dhe rruga përpara”, nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).
Gjatë prezantimit të këtij raporti, hulumtuesi në Institutin e Prishtinës për Studime Politike, Jon Krasniqi, ka thënë se testimi i marrëdhënieve dhe moskoordinimi politik mes Kosovës dhe SHBA-së, kanë ndodhur si pasojë e vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun dhe në përgjithësi në raport me dialogun më Serbinë.
Përkitazi më këtë, Krasniqi ka thënë se moscaktimi i një ambasadori të ri të SHBA-së në Kosovë pas përfundimit të mandatit të Jeff Hovenier, sipas tij mund të interpretohet si shenjë e reduktimit të prioriteteve.
“Me aleatin kryesor strategjik që janë Shteteve Bashkuara të Amerikës në vitin 2024, marrëdhëniet Kosovë-SHBA kanë qenë të testuara seriozisht dhe kanë pasur një mungesë të koordinimit politik. Kjo ka ardhur më së shumti nga vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun, por gjithashtu më raport me dialogun me Serbinë…Tensionet diplomatike kanë qenë gjithmonë të pranishme dhe janë theksuar nonstop kritika të vazhdueshme të zyrtarëve amerikanë dhe nga Washingtoni…Gjatë vitit, pas përfundimit të mandatit të ish-ambasadorit Hovenier, administrata e re ende nuk e ka caktuar një ambasador të ri në Kosovë. Kjo mund të interpretohet si shenjë e reduktimit të prioriteteve në një kohë të ndjeshme të SHBA-ve jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova rrezikon marrëdhënien me partnerin e saj strategjik”, ka thënë Krasniqi.
Lidhur me marrëdhëniet me Gjermaninë, Krasniqi, ka potencuar se ky shtet ka pasur një mbështetje konstante të Kosovës rreth integrimit të saj euroatlantik. Sipas Krasniqit, marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuara kanë qenë më shumë të fokusuara në sferën e sigurisë.
Ndërkaq, ai ka theksuar se mandati katërvjeçar i qeverisë së fundit ka qenë testues edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Krasniqi ka theksuar se është vërejtur një zbehje në komunikimin midis Kosovës dhe Shqipërisë.
“Marrëdhëniet me Gjermaninë mund të quhen më ndryshe se me SHBA-në për shkak se ka pasur një mbështetje konstante të Kosovës rreth integrimit të saj euroatlantik. Por ka qenë edhe pragmatike, por edhe duke treguar edhe një lloj kushtëzimi që Gjermania konstant i ka dhënë shenjë Kosovës të vazhdojë përpara me dialogun Kosovë-Serbi…Marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar-Kosovë kanë qenë më ndryshe se të lartëpërmendurat. Për shkak se më së shumti kanë bashkëpunuar në sferën e sigurisë…Marrëdhëniet e forta dhe të thella midis Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin shoqëror, ekonomik apo turistik vazhdojnë si gjithmonë. Por, ky mandat katërvjeçar ka qenë testues edhe në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri për shkak se po shohim një zbehje edhe në takimet midis Kosovës dhe Shqipërisë. Por, edhe një mos komunikim midis dy qeverive sidomos në vitin 2024. Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut mbeten më të suksesshmet të Kosovës gjatë vitit. Shënojnë një ndër partneritet më konstruktive”, është shprehur ai, transmeton kosovapress.
