Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka ndodhur një ngjarje e pazakontë në mes dy institucioneve të larta shtetërore. Presidenca dhe Qeveria nuk kanë mundur të pajtohen rreth dhurimit të një guri të “Trepçës” për presidentin Donald Trump.
Ministria e Ekonomisë ka refuzuar të ia jep Presidencës një gur minerar të ndërmarrjes “Trepça”, të cilin presidentja Vjosa Osmani kishte planifikuar të i dhuronte presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në ceremoninë e inaugurimit të “Bordit të Paqes”.
Nga burimet e ministrisë së Artane Rizvanolli, gazeta Nacionale ka siguruar korrespodencën në mes të këtyre dy institucioneve për këtë çështje.
Duke tentuar të kopjonte ish-presidentin Ibrahim Rugova me dhënën e gurëve të “Trepçës” për miqtë e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani kishte planifikuar që me një “dhuratë” të tillë ta nderonte edhe presidentin e ShBA-së, Donald Trump. Megjithatë, refuzimi që mori nga Qeveria Kurt ajo u detyruar që shefit të Shtëpisë së Bardhë t`i shkonte duarthatë.
Më 17 shkurt, në ditë para se presidentja Osmani të niset për më Uashington, Presidenca i kishte shkruar Muzeut të Kosovës për mundësinë e dhurimit të një guri të “Trepçës”.
Për dhurimin e një guri të tillë, muzeu kishte kërkuar aprovimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Më pas, Presidenca iu kishte drejtuar Ministrisë së Artane Rizvanollit.
Në kërkesën e Presidencës, tregohen arsyet se pse po kërkohet dhurimi i këtij guri.
“ Në funksion të realizimit të nevojave shtetërore dhe duke u bazuar në interesin publik, ju drejtohemi me këtë kërkesë për të shqyrtuar mundësinë e dhënies në pronësi të një guri minerar nga Ndërmarrja “Trepça”, për qëllime shtetërore(te bashkangjitur keni ne fotografi). Ky gur minerar do të shërbej ekskluzivisht për përmbushjen e nevojave protokollare. Duke ju falënderuar paraprakisht për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, mbetemi në pritje të përgjigjes suaj ”, është thënë në kërkesën e Presidencës për Ministrinë e Ekonomisë.